Qendra e kujdesit ditor për fëmijët në situatë rruge vepron që prej 4 nëntorit të vitit 2019. Një gjë e tillë u mundësua falë bashkëpunimit të Terre des hommes – Kosovë me Komunën e Prishtinës.
Qendra e kujdesit ditor ofron një ambient të ngrohtë e miqësor, ku fëmijët ndihen të sigurtë. Ajo mbështetet në modelin tonë të shërbimeve të specializuara për fëmijët në situatë rruge, për ata që janë viktima të abuzimit seksual, si dhe për fëmijët e tjerë në nevojë për mbrojtje.
Në Qendrën e Kujdesit Ditor, shërbimet ofrohen mbi baza ditore. Fëmija përzgjedh shërbimet apo aktivitetet në të cilat ai/ajo do të marrë pjesë. Qendra synon të ofrojë shërbime për t’i përmbushur nevojat bazë të fëmijës dhe familjes.
Ky model ofron njëkohësisht qasje në informata për ofruesit e shërbimeve, si dhe ndihmon në ndërtimin e besimit ndërmjet ofruesve të shërbimeve e përfituesve, teksa përbën urë lidhëse të fëmijëve me sistemin e mbrojtjes e shërbimet publike, si arsimi, shëndetësia, përkrahja psiko-sociale, e të tjera.
Në mesin e shërbimeve përfshihen: shujtat ushqimore, lojërat, aktivitetet arsimore e psiko-sociale, këshillimi profesional, sesionet e prindërimit pozitiv, ashtu si edhe koordinimi në menaxhimin e rasteve.
Stafi i Qendrës përbëhet prej: punonjësve socialë, psikologëve, ashtu si edhe një ekipi mobil; mësimdhënësve mbështetës, koordinatorit të qendrës, ndihmëses.
Qendra e Kujdesit Ditor kontribuon në masë të madhe në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve duke investuar, si dhe duke mbështetur fëmijët në nevojë për shërbime.