Fuqizimi i lidhjes mes Qendrës Ditore dhe Universitetit të Prishtinës

E.G

Në një ligjëratë të kohëmëparshme në Universitetin e Prishtinës, Egzona Gashi, koordinatorja e Qendrës Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge, e prezantoi punën me ndikim të Terre des hommes në Kosovë, me theks të veçantë te shërbimet e ofruara nga Qendra. Audiencë e kësaj ligjërate ishin studentët e vitit të parë të Departamentit të Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, duke i dhënë hapësirë mundësisë për ta dëshmuar rolin esencial të psikologjisë në adresimin e nevojave të fëmijëve të cënueshëm.

Këto prezantime paraqesin pjesë të rëndësishme të bashkëpunimit të kamotshëm ndërmjet Qendrës për Kujdes Ditor dhe UP-së. Ky partneritet shkon përtej, teksa përfshin mundësinë e një praktike për studentet. Kësisoj, Qendra Ditore, u ofron trajnime praktike dhe përvoja të vlefshme të drejtpërdrejta psikologëve të ardhshëm, duke ua dhënë hapësirën për të pasur ndikim në jetët e fëmijëve të margjinalizuar.

Gjatë prezantimit, Gashi foli për gamën e gjërë të shërbimeve të ofruara nga Qendra Ditore. Këto shërbime përfshijnë jo vetëm kujdesin bazë dhe mbështetjen, por edhe ndërhyrjet e specializuara, të përshtatura për nevojat e veçanta të fëmijëve në situatë rruge. Prej programeve arsimore, e deri te këshillimet psikologjike, Qendra luan një rol të rëndësishëm në të siguruarit e mirëqenies dhe zhvillimit të këtyre fëmijëve të cënueshëm.

Duke i ekspozuar studentët e vitit të parë me punën e Qendrës Ditore, synim i Gashit ishte nxitja e përgjegjësisë sociale te brezi i ardhshëm i psikologëve. Studentët kësisoj e patën mundësinë t’i kuptojnë sfidat me të cilat përballen fëmijët në situatë rruge, si dhe rolin e rëndësishëm që ka psikologjia në jetën e tyre. Prezantimi shërbeu si ftesë për studentët që të angazhohen në mënyrë aktive, si dhe të kontribuojnë në kauzën e mbështetjes së fëmijëve të margjinalizuar përgjatë karrierës së tyre të ardhshme.

Bashkëpunimi ndërmjet Qendrës Ditore dhe Universitetit të Prishtinës u siguron përfitime jo vetëm studentëve, por edhe fuqizon kapacitetet dhe shtrirjen e organizatës. Duke përfshirë mendjet dhe perspektivat e reja, Qendra Ditore mund t’i vëjë në përdorim qasjet e reja, duke nxitur një ambient të përmirësimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Për më tepër, psikologëve të ardhshëm ua jep ndjesinë e ndërgjegjës sociale dhe empatisë, duke i përgatitur të jenë avokat për të drejtat dhe mirëqenien e kategorive të cënueshme.