Ishte ditë e acartë dimri kur ekipi mobil i Qendrës për Kujdes Ditor të fëmijëve në situatë rruge e pa për herë të parë dhjetëvjecarin E. K.
Djaloshi po shiste gjesënde të vogla në sheshin kryesor të Prishtinës. Edhe pse ishte i vetëdijshëm për rreziqet, tha se këtë gjë po e bënte për t’u kujdesur për familjen.
Po atë ditë, ai mësoi rreth Qendrës Ditore dhe shkon me gëzim që prej atëherë.
Tek shpreh mirënjohje për Terre des hommes – misionin në Kosovë, me neve ai ka ndarë gjërat të cilat i pëlqejnë në këtë qendër, e cila e mbështet në forma të ndryshme. Ai po ashtu e përshkruan një ditë të tij të zakonshme.
“Zgjohem në mëngjes dhe vij në Qendër. Këtu, unë i bëj detyrat e shtëpisë, ani pse nuk shkoj në shkollë. Më pëlqen të vij këtu, të ushtroj matematikë e të lexoj, ashtu si edhe të luaj me fëmijët e tjerë”, tregon ai.
Teksa E. K po fliste rreth përvojave të tij, sytë e tij vezullonin. Qendra ishte bërë strehë për të, vend ku mund ta shprehte veten dhe ku kishte hapësirë për pasionet e tij. Stafi i përkushtuar i Qendrës e ndihmon që ta ushqejë kurreshtjen, duke e inkurajuar të marrë pjesë në aktivitete që ia zgjërojnë horizontet dhe ndezin kreativitetin.
Ndihma për fëmijët në situatë rruge përbën pjesë qëndrore të përpjekjeve të TdhK-së. Gjatë vitit të kaluar, mbi 200 fëmijë përfituan nga shërbimet e ofruara nëpërmjet Qendrës Ditore.
Krahas ofrimit të një strehe dhe mbështetjeje arsimore, Qendra po ashtu ofron aktivitete të ndryshme për të siguruar mirëqenien e fëmijëve. Në qendër organizohen lojëra, orë muzikore dhe arti, ashtu si edhe ekskurzione.
Stafi në Qendër punon vazhdimisht për krijimin e një ambienti mikpritës dhe përkrahës për fëmijët. Synim është ndërtimi i një raporti besimi me fëmijët, asisoj që ata të ndjehen rehat për t’i ndarë rrëfimet dhe për të folur për sfidat. Stafi po ashtu punon me familjet e fëmijëve, për t’i kuptuar rrethanat e tyre dhe për të siguruar përkrahje shtesë sa herë të jetë e nevojshme.
Përpjekjet e Qendrës Ditore janë pjesë e një nisme më të gjërë për adresimin e cështjes së fëmijëve në situatë rruge. Qëllimi është një vend ku asnjë fëmijë të mos ketë nevojë të dalë në rrugë dhe të përballet me rreziqet që paraqet një gjë e tillë.
Me gjithë sfidat me të cilat është përballur, natyra gazmore e E. K. nuk është shuar, duke shërbyer si përkujtues i qëndrueshmërisë dhe fuqisë që kanë fëmijët si ai, madje edhe përballë rrethanave më të vështira. Nëpërmjet mbështetjes së paepur të organizatave si Terre des hommes dhe fuqisë transformuese të Qendrës për Kujdes Ditor, E. K. dhe fëmijë të tjerë të panumërt në situata rruge e gjejnë mundësinë ta rikthejnë fëmijërinë dhe të kenë një të ardhme me të ndritshme.
Rrëfimi i E. K është dëshmi e rolit vital që e luan Qendra Ditore dhe stafi i përkushtuar i saj në fuqizimin e fëmijëve të cënueshëm, duke u dhënë mundësinë për tejkalimin e sfidave. Të qeshurat e tij që dëgjohen në qendër tregojnë se me dashuri dhe mjedis përkrahës, secili mund të lulëzojë dhe t’i shfrytëzojë mundësitë e panumërta që i ka para vetes.