Qendrat mësimore të mbështetura nga Terre des hommes – Kosovë, nëpërmjet një projekti të financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, u ofrojnë ndihmë në mësim studentëve romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë.
Këto qendra janë pjesë e një projekti që synon ta kapërcejë hendekun në shkollim dhe ta promovojë arsimin gjithëpërfshirës në Kosovë.
Mësuesit e përkushtuar të këtyre qendrave mësimore luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e procesit mësimor për nxënësit. Ata ofrojnë orë që përputhen me kurrikulën dhe ndihmojnë nxënësit në lëndë të ndryshme. Këto lëndë përfshijnë një gamë të gjerë disiplinash akademike, duke filluar nga matematika, gjuhët, shkencat natyrore, shkencat shoqërore dhe të tjera.
Qëllimi i këtyre orëve është fuqizimi nxënësve, për t’i pajisur ata me dijen dhe shkathtësitë e nevojshme për të arritur sukses në aspektin akademik. Duke ofruar orë shtesë, qendrat mësimore synojnë ta adresojnë çdo hendek që mund të ekzistojë, si dhe ta nxisin një mjedis mësimor mbështetës dhe gjithëpërfshirës për të gjithë.
Krahas kësaj, mësuesit në këto qendra përdorin metoda mësimore inovative dhe interaktive për ta bërë procesin mësimor tërheqës dhe argëtues për nxënësit. Ata përdorin teknika të ndryshme, si aktivitete grupore, eksperimente, diskutime dhe burime multimediale, për t’i mësuar nxënësit si dhe për ta nxitur pjesëmarrjen e tyre akive.
Përveç mbështetjes akademike, qendrat e mësimit ofrojnë edhe mbështetje dhe mentorim të nxënësve. Mësuesit veprojnë si mentorë, duke ofruar vëmendje dhe mbështetje të individualizuar për t’i ndihmuar nxënësit t’i tejkalojnë sfidat si dhe ta arrijnë potencialin e tyre të plotë. Ata synojnë t’i frymëzojnë dhe motivojnë nxënësit, duke ua kultivuar vetëbesimin dhe duke ua ngjallur dashurinë për shkollën.
Për më tepër, bashkëpunimi ndërmjet Terre des hommes – Kosovë, MASHTI-t, si dhe ekipit të përkushtuar, e siguron një qasje holistike kundrejt arsimimit. Ky bashkëpunim ngërthen jo vetëm mbështetje akademike, por adreson edhe nevojat më të përgjithshme të nxënësve, përfshirë mirëqenien e tyre psiko-sociale dhe zhvillimin personal.