14 fëmijë vazhdojnë shkollimin me sukses – Një hap drejt një të ardhmeje më të mirë

child school

“Ma së shumti më pëlqen abetarja dhe matematika. Kur të rritem dua të bëhem mësuese” thotë vajza 8-vjeçare nga komuniteti Rom, me sy që i shkëlqejnë dhe ëndrra të mëdha. Në shtatorin e vitit të kaluar, ajo nisi për herë të parë shkollimin në SHFMU “Daut Bogujevci” në Prishtinë.

Falë punës së përkushtuar të Qendrës Ditore për Fëmijë në Prishtinë, këtë vit shkollor tetë fëmijë kanë nisur aventurën e bukur të shkollimit duke u regjistruar në klasë të parë. Tre fëmijë të tjerë, të cilët kishin ndërprerë shkollimin, janë rikthyer në bankat shkollore dhe tashmë po ndjekin mësimet me sukses.

komunën e Prizrenit, falë identifikimit të hershëm të rasteve, mbështetjes gjatë procesit të regjistrimit dhe monitorimit të vazhdueshëm nga stafi i Qendrës Ditore në Nashec, tre fëmijë janë regjistruar për herë të parë në klasën e parë, dhe po vijojnë mësimet me rregull. 

“Mua po më pëlqen më së shumti të luaj me shokët dhe shoqet. Më pëlqen loja me top, loja me litarë dhe ajo ku e kërkojmë topin e fshehur. Kur të rritem dua të bëhem mjek, që të ndihmoj të sëmurët në nevojë” thotë plot gëzim 10-vjeçari nga komuniteti Rom, që tashmë po ndjek mësimet në SHFMU “Fadil Hisari” në Prizren.

Këta fëmijë muajin qershor, pritet të përfundojnë me sukses vitin e tyre të parë shkollor. Shkollimi për ta është një hap i madh drejt një të ardhmeje më të mirë. Ky sukses është dëshmi e punës që po bëhet me fëmijët në situata të cenueshme, në dy qendrat ditore të fëmijëve.

Qendrat Ditore në Prishtinë dhe Prizren ofrojnë një ambient të ngrohtë dhe të sigurt, të bazuar në një model të shërbimeve të specializuara për fëmijët në situatë rruge, ata që janë viktima të abuzimit seksual, si dhe për fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje. Ky model shërben si një urë lidhëse mes fëmijëve dhe sistemit të mbrojtjes, duke i afruar me shërbime publike si arsimi, shëndetësia, përkrahja psiko-sociale e të tjera.

Pse është i rëndësishëm shkollimi për fëmijët?

Edukimi nuk është vetëm një e drejtë themelore për çdo fëmijë – ai është gjithashtu një mjet i fuqishëm për të thyer ciklin e varfërisë, abuzimit dhe përjashtimit social. Për fëmijët në situata të cenueshme, kthimi në shkollë është shumë më tepër sesa të mësuarit për të lexuar e shkruar – është një rrugëtim drejt shpresës, vetëbesimit dhe zhvillimit personal.

“Arsimi nuk është privilegj; është një e drejtë. Çdo fëmijë meriton jo vetëm të ëndërrojë, por edhe të mësojë si t’i bëjë këto ëndrra realitet - shkolla është vendi ku fillon ky udhëtim.”,  thotë Marije Vuksani, Menaxhere e Programit "Migracion dhe Anti-Trafikim" në Terre des hommes Kosovë. 

Fëmijët që ndjekin rregullisht mësimet janë më të mbrojtur nga format e ndryshme të shfrytëzimit dhe praktikave të dëmshme. Ata fitojnë aftësi jetësore, mbështetje emocionale dhe hapin dyert për mundësi të reja për të ardhmen.

Në  Terre des hommes besojmë se çdo fëmijë meriton mundësinë të shkollohet, të rritet i lumtur dhe të ëndërrojë. Duke i mbështetur ata të kthehen në shkollë dhe duke u siguruar që të ndihen të sigurt, të përfshirë dhe të fuqizuar, ne po ndryshojmë jo vetëm në të ardhmen e tyre, por edhe në të ardhmen e komuniteteve tona.