Vetëdijësimi dhe nxitja e ndryshimeve: Luftimi i Antigjipsizmit në Kosovë

TA

Në luftën kundër racizmit dhe diskriminimit, vetëdijësimi përbën një mjet të fuqishëm. Javën e kaluar, Terre des Hommes – Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP) i vazhdoi trajnimet mbi Antigjipsizmin, një formë kjo specifike dhe tejet shqetësuese e racizmit.

 

Antigjipsizmi, si manifestim i racizmit, ngërthen dhunën, gjuhën e urrejtjes, stigmatizimin social dhe forma të tjera të diskriminimit.

 

Për adresimin e kësaj çështjeje, zyrtarët publikë nga institucione të ndryshme të Kosovës, u mblodhën për një trajnim njëditësh në Prishtinë, të premten e kaluar.

 

E veçantë këtë radhë është se ky ishte trajnimi i parë i mbajtur prej trajnereve të certifikuar në kuadër të bashkëpunimit tonë me IKAP-në për ToT (trajnimin e trajnerëve). 

 

Qëllim parësor i trajnimit ishte fuqizimi i njohurive te pjesëmarrësit rreth Antigjipsizmit. Synim ishte që ata të mund të identifikojnë elementet dhe manifestimet e tij, duke nxitur përpjekje të përbashkëta që kjo formë e racizmit të luftohet në mënyrë efektive. Trajnimi u shoqërua me diskutime dhe shtjellim të strategjive për përballjen me Antigjipsizmin në Kosovë.

 

Një nga leksionet kryesore të këtij trajnimi ishte rëndësia e bashkëpunimit. Krahas fitimit të njohurive teorike rreth Antigjipsizmit, pjesëmarrësit po ashtu u informuan për mekanizmat ekzistues për avansimin e të drejtave të komuniteteve të margjinalizuara. Në mënyrë specifike, ata u njoftuan rreth të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe Platformës Kombëtare për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

 

Sukseset e këtij trajnimi ndërlidhen me zotimet tona për krijimin e një shoqërie të barabartë. Nëpërmjes edukimit dhe ngritjes së vetëdijës, ne fuqizojmë individët për adresimin dhe luftimin e drejtpërdrejtë të çështjeve komplekse shoqërore. Përkushtimi i pjesëmarrësve dhe gatishmëria e tyre për t’u përfshirë në këtë diskurs është shembull i frymës së ndryshimeve që duam të nxisim.