Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor përmbyllet – lufta kundër diskriminimit do të vazhdojë

fotos

Kosova mbetet e përkushtuar në luftën ndaj diskriminimit racor, ka deklaruar të enjten Kryeministri Albin Kurti në hapje të ditës së dytë të Samitit të Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor.

“Jemi këtu me zotimin për t’u përballur me diskriminim racor, për ta mposhtur racizmin si dhe luftuar pabarazinë. Për ta realizuar vizionin e Qeverisë, duhet të përballemi me padrejtësitë që ekzistojnë, posacërisht diskriminimin. Për ta ruajtur bashkësinë, duhet ta luftojmë diskriminimin aty ku ai është më së shumti i pranishëm: Ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian”, ka thënë ai në fjalimin e hapjes së ditës së dytë të samitit.

Prishtina është nikoqire e edicionit të katërt të këtij samiti. Kjo ngjarje e përvitshme mbledh palët kryesore të interesit nga i gjithë rajoni, ashtu që të shkëmbehen praktikat dhe strategjitë për adresimin dhe luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Në ceremoninë e hapjes, të mërkuren, të pranishëm ishin si Kryeministri Kurti, ashtu edhe Presidentja Vjosa Osmani.

“Askush më shumë sesa Kosova nuk i ka vuajtur pasojat e diskriminimit sistematik, vecanërisht në vitet ’80 e ’90. Prandaj, e kemi për obligim që në shtetin tonë askush të mos ndihet i diskriminuar, sidomos në aspektin racor”, deklaroi Presidentja Osmani.

Në ditën e dytë të këtij samiti u mbajtën gjithsej pesë sesione, në të cilat panelistë nga institucionet e shoqëria civile diskutuan për: Buxhetimin e përgjegjshëm për romët: Praktikat e mira dhe sfidat ne dy nivelet e qeverisjes; Mekanizmat institucionalë për zbatimin e ligjeve dhe politikave kundër diskriminimit racor; Njohuritë digjitale: Ekzaminimin e pengesave ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian;  Histori suksesi dhe praktikat më të mira në luftën kundër diskriminimit racor - Përvoja nga Ballkani Perëndimor; si dhe Shërbimet e bazuara në komunitet.

Këtë vit, me moton “Unitet në diversitet”, Samiti nuk u fokusua vetëm në sfidat, por edhe në histori suksesi e praktika të mira, qofshin ato të institucioneve apo komuniteteve. Përveç bashkimit të ekspertëve, liderëve dhe aktivistëve për të diskutuar dhe zhvilluar strategji efektive për luftimin e diskriminimit racor në të gjitha format e tij, Samiti ofron platformë për ndarjen e historive dhe përvojave të njerëzve të prekur nga diskriminimi racor.

Samiti organizohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jo-Diskriminim, Zyra e Kryeminisitrit, mbështetur prej konsorciumit të përbërë nga VoRAE, HEKS, Terre des Hommes Kosovë, me fonde të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim (SDC).