Në kuadër të projektit “Platformë Dixhitale për Raportimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Fëmijëve”, i financuar nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Terre des hommes në Kosovë (TdhK), Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) dhe Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të mekanizmave për mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e abuzimit dhe dhunës, duke vendosur në fokus rritjen e qasjes së fëmijëve në raportim të sigurt dhe të lehtë.
Në kuadër të këtij projekti, palët do të angazhohen në zhvillimin dhe funksionalizimin e një platforme digjitale miqësore për fëmijët, e cila u mundëson atyre të raportojnë rastet e dhunës dhe abuzimit në mënyrë të sigurt dhe të besueshme. Platforma do të funksionojë në mbështetje të Linjës Telefonike për Fëmijë, si mekanizëm i paraparë në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, duke synuar të rrisë qasjen e fëmijëve në forma të sigurta dhe të lehta raportimi.
Marrëveshja gjithashtu parasheh hartimin e standardeve dhe procedurave për trajtimin e këtyre rasteve, trajnimin e profesionistëve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke u bazuar në parimet e interesit më të mirë të fëmijës, konfidencialitetit dhe mosdiskriminimit.
Ky partneritet synon të kontribuojë në krijimin e një sistemi më të sigurt, më të përgjegjshëm dhe më të qasshëm për të gjithë fëmijët në Kosovë.
Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Platformë Dixhitale për Raportimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Fëmijëve”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Terre des hommes në Kosovë në partneritet me Koalicionin e OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF.