Marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit për mbështetjen e fëmijëve në situatë rruge

PZ

Sot (15 shkurt), Terre des hommes – Kosovë e ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit, për të mbështetur fëmijët në situatë rruge.

Marrëveshja, e nënshkruar nga drejtoresha e Terre des hommes – misioni në Kosovë, Florina Sefaj, dhe kryebashkiaku i Prizrenit, Shaqir Totaj, do ta fuqizojë koordinimin në parandalimin dhe mbrojtjen e këtyre fëmijëve. Ajo paraqet një hap përpara në identifikimin e hershëm, referimin, si dhe ofrimin e shërbimeve të drejtpërdrejta për ta.

Për këtë qëllim, një ekip mobil në Prizren do të ofrojë mbështetje për fëmijët e cënueshëm dhe familjet e tyre. Një gjë e tillë do ta përmirësojë shërbimin si dhe ta ngrejë vetëdijën në shoqëri rreth nevojave të fëmijëve në situatë rruge, si dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet organizatave locale dhe institucioneve, për adresimin e kësaj sfide.

Ky aktivitet është pjesë e projektit « Rritja e qasjes dhe cilësisë së kujdesit dhe shërbimeve sociale e edukative për vajzat e djemtë e cënueshëm, posacërisht ata në situatë rruge si dhe familjet e tyre», mbështetur nga UNICEF në Kosovë në partneritet me Bashkimin Evropian në Kosovë.