Në Nashec hapet Qendra për Fuqizimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në situatë rruge

fo

Qendra për Fuqizimin dhe Mbrojtjen e Fëmijëve në situatë rruge është përuruar sot në fshatin Nashec të Prizrenit. Kjo qendër, që shërbime do t’u ofrojë fëmijëve në situatë rruge dhe atyre në nevojë për mbrojtje, është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të Terre des hommes Kosovë me Komunën e Prizrenit, Ambasadën e Japonisë, Zyren e BE-së në Kosovë dhe UNICEF-n.

Qendra e Nashecit do të ofrojë një gamë të gjërë shërbimesh dhe aktivitetesh për fëmijët e cënueshëm në situatë rruge.

Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar me rastin e ceremonisë së përurimit të saj, drejtori i “Terre des hommes”, delegacioni në Kosovë, Pajtim Zeqiri paraqiti një përmbledhje gjithëpërfshirëse rreth Qendrës së Nashecit, duke prezantuar gamën e shërbimeve esenciale që ajo do të ofrojë me theks te përfituesit parësorë: fëmijët dhe familjet e tyre.

Kryetari Totaj ndërkaq e trajtoi ofrimin e mbështetjes institucionale, që do të jetë jetike për suksesin e Qendrës.

Në emër të Ambasadës Japoneze, z. Keisuke Yamanaka, ka folur për mbështetjen që ka dhënë shteti i tij për këtë projekt.

Z. Tomas Szunyog, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, foli për përkushtimin e bllokut evropian për adresimin e çështjeve sociale, me qëllim të rritjes së mirëqenies së fëmijëve të cënueshëm dhe komuniteteve të tyre.

Znj. Nona Zicherman, drejtoreshë e Zyres së UNICEF-it në Kosovë, e ka shprehur përkushtimin e UNICEF-it për t’u siguruar që shërbimet sociale direkte të mbërrijnë te fëmijët e cënueshëm dhe familjet në situatë rruge.

Të pranishmit në kuadër të kësaj tryeze kanë zhvilluar një bashkëbisedim me fëmijët dhe familjet që do të përfitojnë nga shërbimet e kësaj qendre.

Duke pasur parasysh nevojat e fëmijëve në rrezik dhe interesin e tyre më të mirë, funksionalizimi i Qendrës synon ta përmbushë hendekun në ofrimin e shërbimeve për të gjitha kategoritë e fëmijëve. Ofrimi i shërbimeve do të jetë gjithëpërfshirës dhe qasja e orientuar kah fëmiu, si dhe holistike.