
Ka përfunduar hartimi i Modulit Trajnues për gazetarët dhe mediat "Mbrojtja e fëmijëve në Masmedia". Moduli është hartuar me mbështetjen e projektit “Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët”. Projekti zbatohet nga Terre des Hommes Laussanë në Kosovë në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalive edhe Egjiptianëve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER) dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim.
Ky modul trajnimi është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilët i falënderojmë për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tyre për ta bërë modulin mbi mbrojtjen e fëmijëve në masmedia pjesë të kurrikulës së tyre dhe planit të tyre të trajnimeve.
Moduli i trajnimit mbi mbrojtjen e fëmijëve në masmedia është hartuar nga eksperti, Besian Beha, i cili, përveç përpilimit të modulit, gjithashtu do të mbajë edhe sesione të trajnimeve me gazetarë.
Qëllimi specifik i këtij moduli dhe i trajnimit në përgjithësi është që t’i ndihmojë gazetarët dhe profesionistët e medias ta kuptojnë rëndësinë e raportimit mbi etikën dhe standardet profesionale për fëmijët, dhe të jenë të vetëdijshëm për ndikimin që kanë raportimet mediale mbi jetën dhe mirëqenien e fëmijëve; t’u mësojë gazetarëve dhe profesionistëve të medias praktikat më të mira për mbrojtjen e privatësisë dhe ruajtjen e anonimitetit të fëmijëve, veçanërisht në raportimet për rastet më të ndjeshme, siç janë ato të abuzimit apo të dhunës. Gjithashtu, qëllim tjetër është t’i ndihmojë gazetarët të kuptojnë se cilat janë pasojat e një raportimi të papërgjegjshëm, joprofesional dhe në kundërshtim me parimet etike; t’i ndihmojë ata të zhvillojnë qasje të kujdesshme dhe të përgjegjshme në raportim; dhe t’i ndihmojë gazetarët të kenë qasje të ekuilibruar në përfaqësimin e fëmijëve, duke shmangur stereotipet dhe stigmatizimin.