Ka përfunduar hartimi i Modulit Trajnues "Masat e diversitetit qe shqiptohen ndaj kryesit të mitur të veprës penale"
Zhvillimi i këtij moduli është një hap kyç drejt rritjes së aftësive dhe të kuptuarit të profesionistëve të drejtësisë për të miturit në lidhje me zbatimin efektiv të 16 masave të diversitetit për të miturit.
Procesi filloi me një seri prej katër tryezash të rrumbullakëta të mbajtura në katër rajone të Kosovës gjatë muajit tetor dhe nëntor. Këto tryeza mblodhën së bashku një grup të ndryshëm profesionistësh të drejtësisë për të mitur, duke përfshirë prokurorë për të mitur, gjyqtarë, oficerë të provës, oficerë policie, avokatë, ndërmjetësues dhe të tjerë, për të ndarë përvojat e tyre, për të trajtuar sfidat e përbashkëta dhe për të identifikuar nevojat thelbësore në sistemin e drejtësisë për të miturit.
Vështrimet e mbledhura nga këto diskutime angazhuese, ishin të çmueshme. Me ndihmën e ekspertit ligjor të angazhuar, ne hartuam me përpikëri një modul trajnimi që adreson drejtpërdrejt nevojat dhe sfidat specifike të identifikuara.
Pas hartimit të tij, ne kemi zhvilluar me sukses pesë sesione trajnimi për profesionistët e drejtësisë për të mitur në pesë rajone të ndryshme, qëllimi i të cilave ishte forcimi i aftësive të profesionistëve të drejtësisë për të miturit, në zbatimin efektiv të 16 masave të diversitetit për të miturit, të parapara në Kodin e Drejtësisë për të Miturit, duke lehtësuar kështu një proces më të qetë të risocializimit dhe riintegrimit të të miturve në shoqëri.
Ky modul u zhvillua si pjesë e projektit "Rritja e qasjes dhe cilësisë së kujdesit dhe shërbimeve sociale e edukative për vajzat e djemtë e cënueshëm, posacërisht ata në situatë rruge si dhe familjet e tyre". Projekti mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian në Kosovë në partneritet me Programin e UNICEF-it në Kosovë.