Lufta kundër diskriminimit racor në Ballkan: Mbahet samiti rajonal

sam

 

Një dokument me dymbëdhjetë rekomandime për luftimin e Antigjipsizmit e ka përmbyllur Samitin e Ballkanit Perëndimor kundër Diskriminimit Racor, që u mbajt në Prishtinë, më 7 e 8 nëntor të vitit 2022.

Ky samit rajonal mblodhi krerë qeverish, përfaqësues institucionesh, organizata të shoqërisë civile, gazetarë, ashtu si edhe akterë të tjerë.

Nëpërmjet katër paneleve – të mbajtura në ditën e parë – dhe një ëorkshopi në ditën e dytë, pjesëmarrësit e këtij samiti theksin e vunë te sfidat me të cilat përballen shtetet e Ballkanit Perëndimor në luftimin e diskriminimit racor, duke folur njëkohësisht edhe për masat e ndërmarra.

Ky samit shërbeu si platformë për shkëmbimin e përvojave në Ballkan ndërlidhur me aktivitetet e ndërmarra në luftimin e racizmit dhe diskriminimit kundër komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. U organizua në patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, mbështetur nga Terre des hommes – misioni në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve, si dhe Fondacioni HEKS, në kuadër të projektit “Drejtësia sociale për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët”, financuar nga Agjencia zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Dita e parë nisi me fjalimet e mirëseardhjes nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe Isak Skenderi, Drejtor Ekzekutiv i organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”,

Kryeministri Kurti në fjalimin e tij e theksoi rëndësinë e angazhimit të tërë shoqërisë, ashtu që të gjithë qytetarët të ndjehen të barabartë. Ai përmendi edhe mjetet e tjera të rëndësishme në luftimin e pabarazisë.

“Përpjekjet e përbashkëta të qytetarëve, përgjegjësia sociale, por edhe vetëdijësimi i shoqërisë. Një pjesë e konsiderueshme e diskriminimit ndodh dhe përsëritet, pasi që mbetet në heshtje”, tha ai, duke inkurajuar po ashtu të gjithë që ta përdorin Plartformën Anti-Diskriminim.

Z. Isak Skenderi, Drejtor Ekzekutiv i Zërit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve – Përfaqësues i konsorciumit të Projektit "Drejtësia Sociale”, foli për gjendjen e rëndë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, duke përmendur hapat e ndërmarra në Kosovë për luftimin e diskriminimit racor.

“Sot në Kosovë, ashtu si edhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, romët janë të ngujuar në një rreth vicioz të përjashtimit. Ata nuk i gëzojnë të drejtat, u mungojnë mundësitë, janë pa kujdes adekuat shëndetësor e social. Ata nuk fuqizohen, derisa një numër i madh i tyre përballen me mungesë mundësish në qasjen në digjitalizim, kërkuar nga tregu i punës dhe sektori privat. E tërë kjo shoqërohet me diskriminim dhe Anti-gjipsizëm, që rezulton më shkëputje, demotivim dhe mungesë interesimi, gjë që sërish e fuqizon përjashtimin”, ka thënë ai.

 

Paneli i parë: “Adresimi i faktorëve kyc në përjashtimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”

 

Pas fjalimeve të mirëseardhjes, diskutimet i nisi Paneli i parë. Temë e tij ishte “Adresimi i faktorëve kyc në përjashtimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian”.

Gjatë diskutimeve të këtij paneli, Kryeministri Kurti e vuri theksin te rëndësia e shkollës në institucionalizimin e gjuhës, duke e bërë njëkohësisht një thirrje.

“Shkolla është vendi ku fëmija takon shtetin, dhe shteti ynë duhet ta dëshmojë veten nëpërmjet shkollës… Mos u kënaqni me përfshirjen, kërkoni pjesëmarrje, pasi që ajo na bën të barabartë”, ka apeluar ai.

Z. Thomas Kolly, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, teksa e ka prezantuar gjendjen faktike, ka folur edhe për masat që duhet të ndërmerren në luftën kundër diskriminimit.

“Të gjithë duhet ta ngrejnë vetëdijën, për të theksuar se diversiteti është aset, është pasuri”, ka thënë Ambasadori Kolly, teksa në aspektin e vetëdijësimit ka theksuar se “zinxhiri është po aq i fortë sa hallka më e dobët, apo se mirëqenia e një shteti përcaktohet nga mirëqenia e më të brishtëve”.

Ai po ashtu e uroi Kosovën për përkushtimin në adresimin e diskriminimit racor.

“Zvicra është bukur aktive në këtë fushë (v.j. luftën kundër diskriminimit), si nga ana e Ambasadës, por edhe organizatave me seli në Zvicër, si Heks dhe Terre des hommes, që janë shumë aktive në një mënyrë tejet pozitive”, ka thënë ai.

Z. Tomas Szunyog, Ambasadori i BE-së në Kosovë, i është referuar aspekteve historike të diskriminimit racor.

“Diskriminimi racor është një e ligë, që është bërë pjesë e shoqërive evropiane me shekuj, duke prekur edhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian këtu në Kosovë. Një diskriminim i tillë mund të manifestohet në forma të ndryshme”, ka thënë ai.

Z. Jeffrey M. Hovenier, Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, paraqiti disa mendime lidhur me çështjen e diskriminimit racor.

“Mendoj se shumëçka lidhur me historinë e shtetit tim paraqet një përpjekje të vazhdueshme për të qenë po aq të mirë sa vlerat që na i shtruan etërit themeltarë. Është kjo betejë e vazhdueshme, në të cilën jemi të papërkryer”, ka thënë ai.

Z. Artan Grupi, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Sistemit Politik dhe Raporteve Ndërkomunitare në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka folur rreth të drejtave të komuniteteve në shtetin e tij.

“Avansimi i të drejtave të komuniteteve u arrit nëpërmjet Marrëveshjes së Ohrit, kur gjuha shqipe u bë gjuhë zyrtare, përfshirë përdorimin e flamurit. Një prej mekanizmave të tij e rregullon mundësinë e punësimit në administratë. Nëse e krahasojmë strukturën etnike, e shohim se kemi pjesëmarrje të kënaqshme të komuniteteve, në raport me komunitetin shumicë”, ka thënë ai.

Z. Fatmir Gjeka, Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, po ashtu u është referuar çështjeve të diskriminimit, duke folur edhe për gjendjen e të drejtave të në shtetin e tij.

Z. Denada Seferi, Zv.ministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, ka deklaruar se shteti i saj përballet me të njëjtat probleme, sa i përket diskriminimit racor.

Ajo ka përmendur edhe përkrahjen që është dhënë nga Qeveria e Shqipërisë në luftimin e diskriminimit, derisa fjalimin e ka përfunduar me moton: “Askush të mos lihet prapa”.

Pjesë e samitit ishte edhe Zëvendeskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që të pranishmëve u është drejtuar nëpërmjet videolidhjes.