Kapërcimi i barrierave: Një porosi për gratë

M.G

“Duhet shumë përkushtim, sakrifica, shkollë dhe këmbëngulje ashtu që shumë dyer që duken të mbyllura, të mund të hapen… Dhe, këto dyer nuk hapen vetë, por ju duhet ta bëni atë”.

Porosia që Mimoza Gavrani, eksperte politike, aktiviste e shoqërisë civile dhe autore emisionesh kishte për gratë në Qendrën Ditore për Fëmijët në Situatë Rruge, përthekon rëndësinë e këmbënguljes për arritjen e synimeve dhe realizimin e ëndrrave.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, si mysafire e veçantë në Qendrën Ditore, ajo ndau rrëfimin e saj inspirues, që shpërfaq orë të panumërta leximi e mësimi, ashtu si edhe sakrifica të saj e familjes, që kulmuan me udhëtimin e saj për studime në SHBA.

Gavrani i theksoi dy faktorë kyç, që e shtynë përpara në jetë: besimin tek vetja dhe përgatitjen e vazhdueshme nëpërmjet shkollimit. Ajo e theksoi rëndësinë e vetbesimit dhe të pasjes së një vizioni të qartë për qëllimet jetësore, duke i konsideruar si elemente esenciale të suksesit.

Kjo ngjarje u organizua në kuadër të projektit “Rritja e qasjes dhe cilësisë së kujdesit dhe shërbimeve sociale e edukative për vajzat e djemtë e cënueshëm, posacërisht ata në situatë rruge si dhe familjet e tyre», mbështetur nga UNICEF, në partneritet me Bashkimin Evropian.

Rrëfimi i Mimoza Gavranit shërben si rikujtues i fuqishëm se arritja e suksesit dhe realizimi i ëndrrave shpesh lyps përkushtim, sakrifica, shkollim dhe këmbëngulje. Nëpërmjet tij, gratë motivohen të besojnë te vetja, ta arrijnë potencialin e tyre dhe të synojnë realizimin e aspiratave. Pavarësisht sfidave me të cilat mund të përballen, rrëfimi i Gavranit inkurajon gratë të mbesin këmbëngulëse dhe të paepura në rrugën drejt përmbushjes personale dhe profesionale.