Në kuadër të projektit rajonal Unity in Care, Terre des hommes Kosova (TdhK) ka nisur procesin e përshtatjes së Kutisë Metodologjike të Bordit Këshillimor për Fëmijë (CAB) në kontekstin lokal. Ky rrugëtim filloi me punëtoritë e kontekstualizimit, duke siguruar që mjetet të pasqyrojnë realitetetin, nevojat dhe zërat e fëmijëve dhe profesionistëve në Kosovë.
Punëtoritë e Kontekstualizimit: Në Qendër Fëmijët dhe Profesionistët
Dy punëtori u zhvilluan veç e veç me fëmijë dhe me profesionistë.
Me fëmijët – seancat ishin të dizajnuara të jenë interaktive, duke eksploruar konceptet e pjesëmarrjes, mirëqenies dhe mbështetjes psikosociale. Përmes lojërave, vizatimeve dhe ushtrimeve praktike, fëmijët reflektuan mbi kuptimin e hapësirave të sigurta dhe mënyrat se si ata mund të kontribuojnë aktivisht në vendimmarrjen që i prek. Fëmijëve iu kujtua se:
Secili ka të drejtë të flasë dhe të dëgjohet.
Nuk ka përgjigje të sakta ose të gabuara – çdo mendim ka vlerë.
Idetë e secilit respektohen në mënyrë të barabartë.
Grupi do të flasë me radhë, për t’u siguruar që çdo zë të dëgjohet.
Me profesionistët – diskutimet u përqendruan në gjuhën, terminologjinë dhe elementet kulturore. Qëllimi ishte që materialet të përshtaten në mënyrë që të jenë të qarta, të arritshme dhe kuptimplota për fëmijë nga sfonde të ndryshme.
Këto seanca përbëjnë një hap kyç për të siguruar që Kutia CAB të mos jetë vetëm një përkthim, por një përshtatje e plotë ndaj realitetit lokal, duke i fuqizuar fëmijët që të marrin pjesë në mënyrë të sigurt dhe domethënëse në proceset e vendimmarrjes.
Trajnim Dy-Ditor për Profesionistët
Pas punëtorive, u organizua një trajnim dy-ditor me profesionistë të shëndetit mendor dhe stafin shkollor.
Qëllimet kryesore të trajnimit përfshinin:
Thellimin e njohurive të pjesëmarrësve mbi konceptet themelore të pjesëmarrjes së fëmijëve, të bazuara në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës.
Zhvillimin e aftësive praktike për zbatimin e Modelit Lundy të Pjesëmarrjes së Fëmijëve në punën e tyre të përditshme.
Rritjen e besimit dhe kapaciteteve profesionale në përdorimin e Kutisë CAB me grupe gjithëpërfshirëse fëmijësh.
Ky trajnim pasqyron qasjen e Terre des hommes, e cila e sheh pjesëmarrjen e fëmijëve jo vetëm si një e drejtë themelore, por edhe si një mjet të fuqishëm për të amplifikuar zërat e tyre, për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të siguruar që zgjidhjet për çështjet që prekin fëmijët të jenë më gjithëpërfshirëse dhe efektive.
Hapat e ardhshëm
Faza e ardhshme e projektit do të fokusohet në themelimin e Bordit Këshillimor për Fëmijë (CAB), për të forcuar pjesëmarrjen e fëmijëve në nivel komuniteti. Në vend që të krijohen struktura të reja, theksi do të vihet në forcimin e mekanizmave ekzistues dhe në bërjen e tyre më gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët.
CAB do të përfshijë 12 fëmijë dhe të rinj nga profile të ndryshme në Kosovë, të cilët do të takohen çdo muaj me mbështetjen e facilitatuesve të trajnuar.
Anëtarët do të marrin pjesë në punëtori mbi aftësitë e jetës – si të folurit në publik, avokimi, përdorimi i teknologjisë dhe kujdesi për veten – me tema të përzgjedhura së bashku me fëmijët.
Përmes një cikli pesë-fazor të kërkimit veprues pjesëmarrës – Harto, Eksploro, Planifiko, Veprim Kolektiv, Reflekto & Ndaj – CAB do të dizajnojë dhe udhëheqë një nismë që promovon mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve në Kosovë.
Rezultatet dhe përvojat do të ndahen në nivel kombëtar përmes platformave, konferencave dhe fushatave të avokimit, duke siguruar që zërat e fëmijëve të ndikojnë në proceset e vendimmarrjes.
Duke lidhur fëmijët, profesionistët dhe komunitetet në Kosovë, Unity in Care po krijon hapësira ku të rinjtë dëgjohen, respektohen dhe fuqizohen për të ndikuar në vendimet që prekin jetët e tyre.
“Financuar nga Bashkimi Evropian. Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura janë vetëm të autorit(ëve) dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht ato të Bashkimit Evropian apo të Agjencisë Ekzekutive Evropiane për Arsimin dhe Kulturën. As Bashkimi Evropian dhe as autoriteti financues nuk mund të mbajnë përgjegjësi për to.”