Bordi Ndërkombëtar Këshillimor i Fëmijëve - Termat e Referencës dhe Thirrja për Anëtarësim

Thirrja

Bordi Ndërkombëtar Këshillimor i Fëmijëve

Termat e Referencës dhe Thirrja për Anëtarësim

 

“Unity in Care: Përmirësimi i Sistemeve të Mbështetjes për Shëndetin Mendor të Fëmijëve dhe të Rinjve të Cenueshëm”

 

Projekti “Unity in Care: Përmirësimi i Sistemeve të Mbështetjes për Shëndetin Mendor të Fëmijëve dhe të Rinjve të Cenueshëm” është bashkëfinancuar nga Programi CERV CHILD i Bashkimit Evropian. Ky projekt 24-mujor zbatohet në periudhën Janar 2024 - Dhjetor 2025 dhe koordinohet nga Tdh Hungari, në partneritet me Nisma ARSIS, Tdh Greqi, Tdh Kosovë dhe Tdh Rumani.

Objektivi kryesor i projektit është mbështetja e aktorëve kyç (sistemet shëndetësore, të mirëqenies sociale dhe arsimore, profesionistët, OJQ-të, organizatat komunitare, etj.), të cilët punojnë me dhe për fëmijët e cenueshëm, të rinjtë dhe kujdestarët e tyre në Shqipëri, Kosovë, Greqi dhe Rumani, për të përmirësuar përgjigjen ndaj nevojave për mbështetje psikologjike dhe psikosociale (MHPSS), duke promovuar ndërhyrje të bazuara në prova shkencore.

Në përputhje me Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijës dhe Strategjinë e BE-së për të Drejtat e Fëmijës, projekti adopton një qasje të bazuar në të drejtat e fëmijës, duke i konsideruar të ndërlidhura dhe të pandashme të gjitha fushat e këtyre të drejtave. Për këtë arsye, projekti synon të operacionalizojë të drejtën e fëmijëve për pjesëmarrje, si një qëllim, një parimdhe një mjet veprimi. Një nga mekanizmat kryesorë për këtë është krijimi i Bordeve Këshillimore të Fëmijëve (CABs), si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

 

Objektivat specifike të projektit “Unity in Care”:

 

  1. Rritja e kapaciteteve të profesionistëve të fushës së shëndetit mendor dhe atyre jo të specializuar në këtë fushë për të ofruar mbështetje psikologjike dhe psikosociale (MHPSS) për fëmijët dhe të rinjtë e cenueshëm, si dhe për kujdestarët e tyre.
  2. Përmirësimi i qëndrueshmërisë emocionale dhe mirëqenies psikosociale të fëmijëve dhe të rinjve të cenueshëm dhe kujdestarëve të tyre në Shqipëri, Kosovë, Greqi dhe Rumani.
  3. Krijimi i mundësive për fëmijët dhe të rinjtë që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse që ndikojnë në mirëqenien e tyre, si në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar.
  4. Rritja e ndërgjegjësimit dhe shkëmbimi i praktikave më të mira për masat parandaluese mes profesionistëve që punojnë me fëmijët dhe të rinjtë e cenueshëm dhe kujdestarët e tyre.
  5. Mbështetja e advokacisë së drejtuar nga fëmijët dhe të rinjtë për një qasje të shëndetit publik ndaj shëndetit mendor, duke lehtësuar aksesin në shërbime të përshtatshme të MHPSS për fëmijët dhe të rinjtë e cenueshëm.

 

Qëllimet e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Fëmijëve (CAB)

Si pjesë e strukturës drejtuese të projektit, krijohet Bordi Ndërkombëtar Këshillimor i Fëmijëve (CAB), i përbërë nga 12 fëmijë dhe i mbështetur gjatë gjithë zbatimit të projektit. Qëllimi kryesor i CAB është të sigurojë që zëri i fëmijëve të ndikojë në proceset vendimmarrëse gjatë gjithë zbatimit të projektit. Kjo përfshin:

  • Pjesëmarrjen në aktivitete të forcimit të kapaciteteve dhe ndjekjen e progresit të projektit.

  • Dhënien e këshillave dhe sugjerimeve për partnerët e projektit mbi metodologjitë e përdorura, duke i përshtatur ato për fëmijët.

  • Ofrimin e një perspektive të bazuar në përvojën e fëmijëve për cilësinë dhe përshtatshmërinë e materialeve informuese.

  • Pjesëmarrjen në aktivitete monitorimi dhe vlerësimi, për të dhënë mendime dhe për të sugjeruar përmirësime.

  • Mbështetjen e krijimit të Bordeve Kombëtare Këshillimore të Fëmijëve (CABs) në vendet përkatëse dhe lehtësimin e komunikimit midis CAB ndërkombëtar dhe atyre kombëtare.

Këto qëllime do të rishikohen dhe përshtaten sipas kontributit të fëmijëve në takimin e parë të CAB.

 

Përbërja e Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Fëmijëve

CAB përbëhet nga 16 fëmijë (nga 4 fëmijë për secilin vend pjesëmarrës) që plotësojnë kriteret e mëposhtme:

  • Janë të moshës 12-16 vjeç.
  • Jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Greqi ose Rumani, për të reflektuar realitetet lokale të fëmijëve.
  • Janë të motivuar për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në mirëqenien e fëmijëve në komunitetet e tyre.
  • Përfaqësojnë përvoja të ndryshme, përfshirë fëmijë nga komunitete të cenueshme, zona të largëta ose me më pak mundësi.
  • Përfaqësojnë diversitetin, duke përfshirë fëmijë nga grupe etnike të ndryshme ose me aftësi të ndryshme.
  • Kanë aftësi bazë në gjuhën angleze, por kjo nuk është kriter përjashtues. Partnerët e projektit do të sigurojnë mbështetje për komunikimin, si mbështetje nga bashkëmoshatarët ose një i rritur mbështetës.

Pjesëmarrja e fëmijëve është vullnetare, dhe ata mund të tërhiqen në çdo moment. CAB do të jetë gjithëpërfshirës, i balancuar në moshë dhe gjini, duke respektuar parimet e mosdiskriminimit dhe mosdëmtimit.

Parimet Etike

Gjatë krijimit, mbështetjes dhe zhvillimit të Bordit Këshillimor të Fëmijëve (CAB), si dhe gjatë lehtësimit të takimeve të tij, partnerët e projektit duhet të bazohen dhe të respektojnë politikat dhe procedurat organizative për Mbrojtjen e Fëmijëve. Këto politika dhe procedura zbatohen në të gjitha veprimtaritë dhe aktivitetet që zhvillohen nga ose në emër të projektit.

Partnerët e projektit duhet të vlerësojnë rreziqet e mundshme për çdo fëmijë të përfshirë në CAB, për të siguruar që pjesëmarrja e tyre të jetë e sigurt dhe që ata të jenë në gjendje të japin pëlqimin e informuar për të marrë pjesë jo vetëm në projekt, por edhe për përdorimin e të dhënave në kuadër të tij.

Pëlqimi prindëror është i detyrueshëm për pjesëmarrjen e fëmijëve në CAB.

 

Takimet e CAB

Anëtarët e CAB do të ftohen të marrin pjesë dhe të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në mbledhjet e CAB dhe aktivitetet dhe iniciativat përkatëse gjatë gjithë zbatimit të projektit, siç është përmendur në seksionin "Qëllimet e CAB-ve" të këtij dokumenti. Mbledhjet e CAB do të planifikohen në përputhje me progresin e projektit (p.sh. afatet për bashkë-krijimin/validimin e materialeve, arritjen e pikave kyçe dhe deliverables).

 

Mbledhjet e CAB do të zhvillohen online dhe do të lehtesohen nga Tdh Hungary. Gjatë zbatimit të projektit, do të organizohen gjithsej 8 mbledhje të CAB, të cilat do të përgatiten, lehtësohen dhe dokumentohen përmes mbledhjes së listave të pjesëmarrësve dhe regjistrave të mbledhjeve. 

 

Andaj, nëse je 12-16 vjeç dhe dëshiron të kontribuosh për të bërë një ndryshim për fëmijët në komunitetin tënd dhe në Europë, së bashku me fëmijë të tjerë, kjo mundësi është për ty!. Ju ftojmë të anëtarësoheni duke plotësuar këtë formular aplikimi deri më 7 mars 2025: https://forms.office.com/Pages/ResponsePage.aspx?id=hThqdQqUZ0SuiQJJpUpBpZLdMo9G3r1EkeVlew9Fuq1URDlaOU1EVjVFM1VSMkxDTEdRRlZXVEpPNS4u

 

Informatë e rëndësishme mbi mbrojtjen e të dhënave: Të dhënat e mbledhura përmes këtij formulari do të përdoren vetëm për qëllimet e përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit Ndërkombëtar Këshillimor të Fëmijëve. Ato do të ruhen për një periudhë prej një muaji nga data e mbylljes së aplikimeve dhe më pas do të fshihen në mënyrë të sigurt, në përputhje me rregulloret për mbrojtjen e të dhënave personale.