Projekti “Zbatimi i Sjelljeve të Sigurta” synon të fuqizojë fëmijët dhe të rinjtë nga mjedise të cenueshme që të bëhen agjentë aktivë në krijimin e një mjedisi të sigurt për veten dhe bashkëmoshatarët e tyre, si dhe të mundësojë që profesionistët që punojnë me dhe kujdesen për fëmijët dhe të rinjtë të reagojnë në mënyrë të duhur ndaj dhunës midis bashkëmoshatarëve. Aktivitetet përqendrohen në parandalimin dhe reagimin ndaj të gjitha formave të dhunës midis bashkëmoshatarëve tek fëmijët dhe të rinjtë, përfshirë dhunën me baza gjinore.

Pse kanë nevojë fëmijët dhe të rinjtë për “Sjellje të Sigurta”?
Dhuna midis bashkëmoshatarëve është një nga format më të zakonshme përmes së cilës fëmijët dhe të rinjtë përjetojnë dhunë: në Evropë, pothuajse 1 në 3 nxënës raportojnë se janë bullizuar në shkollë (30.1% e djemve; 28.2% e vajzave) (UNESCO, 2019). Për fëmijët dhe të rinjtë nga situata të cenueshme, rreziku për të përjetuar dhunë nga bashkëmoshatarët është më i lartë sesa për të tjerët. Fatkeqësisht, pavarësisht përhapjes së dhunës midis bashkëmoshatarëve tek fëmijët dhe të rinjtë, të rriturit dhe profesionistët që kujdesen për ta dhe punojnë me ta shpesh përballen me sfida në reagimin në mënyrë efektive.
Metodologjia “Zbatimi i Sjelljeve të Sigurta” fokusohet në të drejtën e fëmijëve për t’u ndier të sigurt në çdo kohë, zhvillimin e vetëbesimit dhe qëndrueshmërisë, si dhe rëndësinë e pranimit dhe mirëkuptimit. Përmes trajnimit dhe informimit të fëmijëve, të rinjve dhe profesionistëve mbi dhunën midis bashkëmoshatarëve, si dhe përmes veprimeve të avokimit dhe ndërgjegjësimit të drejtuara ndaj komunitetit të gjerë dhe autoriteteve publike, projekti synon t’u ofrojë atyre njohuritë, aftësitë dhe mjetet e nevojshme për ta kuptuar këtë problematikë dhe për të vepruar kundër saj. Fëmijët dhe të rinjtë do të jenë në gjendje të zbatojnë qasjen e “Sjelljeve të Sigurta” në jetën e tyre, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi më të sigurt për veten dhe bashkëmoshatarët e tyre, ndërsa profesionistët që kujdesen për ta dhe punojnë me ta do të kenë më shumë njohuri dhe kapacitete për të parandaluar, identifikuar dhe reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj dhunës midis bashkëmoshatarëve.
Përfituesit e projektit
Përmes aktiviteteve të projektit, fëmijët dhe të rinjtë nga situata të cenueshme, si dhe të rriturit dhe profesionistët që kujdesen për ta dhe punojnë me ta, do të përfshihen në Bullgari, Itali, Kosovë, Rumani dhe Suedi. Aktivitetet e avokimit dhe ndërgjegjësimit, si në nivel kombëtar ashtu edhe në nivel të Bashkimit Evropian, do të arrijnë një audiencë më të gjerë, përfshirë fëmijë dhe të rinj të tjerë, profesionistë që punojnë me fëmijë dhe të rinj, vendimmarrës, autoritete publike, si dhe popullatën e gjerë.
Aktivitetet kryesore të projektit
- Zhvillimi i punëtorive bashkëmoshatar me bashkëmoshatar për fëmijët e moshës 11–15 vjeç, për t’i informuar më shumë mbi çka është dhuna midis bashkëmoshatarëve, pse ndodh ajo, si mund të parandalohet dhe çfarë mund të bëjnë për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Punëtoritë udhëhiqen nga të rinj të moshës 17–24 vjeç, të trajnuar si Trajnerë Bashkëmoshatarë.
- Hartimi dhe zbatimi i projekteve të ndryshimit nga vetë fëmijët pjesëmarrës në grupet e punëtorive, për të shpërndarë njohuritë e fituara me komunitetin dhe për të ndihmuar në ndërgjegjësimin dhe përmirësimin e parandalimit dhe reagimit ndaj dhunës midis bashkëmoshatarëve.
- Zhvillimi i trajnimeve ballë për ballë për profesionistët që punojnë me dhe kujdesen për fëmijët dhe të rinjtë, me qëllim pajisjen dhe fuqizimin e tyre për të parandaluar, identifikuar dhe reaguar ndaj dhunës midis bashkëmoshatarëve në mënyrë të balancuar, të sigurt dhe me kujdes, duke siguruar interesin më të mirë të çdo fëmije.
- Zhvillimi i punëtorive ndërgjegjësuese për fëmijë, të rinj dhe të rritur, për të shpjeguar çka është dhuna midis bashkëmoshatarëve, si mund të parandalohet dhe si mund të mbështeten fëmijët dhe të rinjtë që janë prekur nga ajo.
- Hartimi i udhëzimeve praktike për shërbimet sociale lokale, rajonale dhe kombëtare mbi mënyrat më të mira për të identifikuar, parandaluar dhe reaguar ndaj dhunës midis bashkëmoshatarëve.
- Shpërndarja e rekomandimeve për politika kombëtare dhe në nivel të BE-së mbi ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor dhe në praktikë, për të siguruar një qasje të informuar, parandaluese, reagim dhe luftim të dhunës midis fëmijëve, si pjesë përbërëse e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.
Partnerët e projektit: SOS Children’s Villages International; SOS Children’s Villages Bulgaria; SOS Children’s Villages Italy; SOS Children’s Villages Romania; SOS Children’s Villages Sweden; Terre des hommes Lausanne in Kosovo; Terre des hommes Hungary – Regional Hub for Europe
Partnerët tjerë: European Social Network (ESN); International Society for the Prevention of Child Abuse & Neglect (ISPCAN); SOS Children’s Villages Kosovo; SOS Kinderdörfer weltweit – Hermann-Gmeiner-Fonds Deutschland
Kohëzgjatja e projektit: Prill 2025 – Shkurt 2027