
Të drejtat e njeriut janë të panegociueshme, veçanërisht të drejtat e fëmijëve, me theks të veçantë te grupet e cenueshme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Ky raport është realizuar me mbështetjen e një konsorciumi të përbërë nga tri organizata: Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VoRAE), Fondacioni Terre des hommes (Tdh) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER), në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në kuadër të projektit: “Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë” që financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Opinionet e shprehura në këtë hulumtim u përkasin autorëve ose personave të intervistuar dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin zyrtar të VoRAE, TdH dhe HEKS/EPER.
Hulumtimi mbi martesat e hershme brenda komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, i hartuar dhe përpunuar nga Prof. Asoc. Dr. Bedri Bahtiri, në cilësi të udhëheqësit ekipës së hulumtimit, Sonila Hasaj dhe të tjerët nga UBO Consulting, si dhe Kaltrina Zhushi hulumtuese, trajton një çështje të ndjeshme jo vetëm brenda këtyre komuniteteve, por edhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi.
Ky hulumtim paraqet një hap të rëndësishëm për hulumtimin e fenomenit të martesave të hershme në Republikën e Kosovës dhe përbën një përpjekje serioze për të sjellë në diskutim këtë temë të ndjeshme për fëmijët në përgjithësi, e në veçanti për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Përmes këtij hulumtimi synohet të bëhet një analizë e hollësishme e këtij fenomeni shqetësues dhe mënyrës së rregullimit të çështjes së martesës dhe bashkësisë faktike jashtëmartesore sipas normave juridike ndërkombëtare dhe legjislacionit të brendshëm. Deri më tani, në Republikën e Kosovës janë themeluar mekanizma institucionalë në nivel qendror përsa i takon adresimit të kësaj çështje. Ky është pa dyshim një kontribut me vlerë të shtuar për kauzën e “interesit më të mirë të fëmijës”.
Kritika kryesore ndaj martesave të hershme është se ato përbëjnë abuzim ndaj fëmijëve dhe shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tyre. Ky fenomen pengon emancipimin e komuniteteve, pasi u kufizon të miturve (djemve dhe vajzave) qasjen në të drejtat themelore, si arsimimi dhe zhvillimi i shëndetshëm sipas moshës së tyre.
Problemi i martesave të hershme nuk është vetëm çështje e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, por prek edhe komunitetet tjera në Kosovë në një masë të caktuar. Në këtë aspekt, nuk duhet konsideruar se ky fenomen ka të bëjë vetëm me këto komunitete, pasi që i njëjti ka qenë prezent deri në shekullin e kaluar, në shkallë të ndryshme, edhe në komunitetet tjera në Kosovë, ndërsa sot haset në raste më të pakta.
Martesat e hershme u mohojnë fëmijëve të drejtën për të shprehur lirisht dëshirat dhe interesat e tyre, pasi ata nuk kanë kapacitet të plotë për të marrë vendime, e nëse shprehin një pëlqim, ai nuk ka vlerë juridike për shkak të moshës.
Nga aspekti ligjor, martesat e hershme nuk mund të konsiderohen marrëdhënie të rregulluara me norma juridike, pasi që ato janë të ndaluara. Megjithatë, ky fenomen nuk mund të kalojë në heshtje duke u justifikuar me vlera kulturore dhe tradicionale. Ato duhen trajtuar si shkelje të të drejtave të- njeriut, të cilat krijojnë pabarazi sociale dhe përmbajnë elemente të diskriminimit të rëndë.