
Duke u bazuar në qëllimin e Ligjit nr. 05/L -021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi (LMD) në bazë të kombësisë, apo lidhjes me ndonjë komunitet, zbatimi efikas i LMD-së është i rëndësishëm për të luftuar diskriminimin mbi baza etnike.
Ky raport është hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe kundër Diskriminimit/Zyra e Kryeministrit pasi neni 10 i LMD-së i jep detyrim ZQM-së/ZKMsë të paraqesë raport për zbatimin e LMD-së, me qëllim të luftimit të diskriminimit.
Me qëllim të luftimit të diskriminimit, për të përmbushur qëllimin e LMD-së, Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe kundër Diskriminimit/Zyra e Kryeministrit ka marrë nismë, dhe me mbështetje të partnerëve ka zhvilluar Platformën kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Ky raport ka për qëllim që të pasqyrojë gjendjen e diskriminimit të komuniteteve përkatëse, përmes rasteve të raportuara në Platformë, të cilat janë adresuar nga ekipi profesional i Platformës dhe institucionet kompetente sipas LMD-së. Po ashtu, raporti ka për qëllim të ofrojë një pasqyrë të luftimit të diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përmes rasteve të raportuara në Platformë.
Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe kundër Diskriminimit/Zyra e Kryeministrit, përveç raporteve të përgjithshme për zbatimin e LMD-së, në këtë rast së bashku me partnerët mbështetur nga projekti “Drejtësia sociale për romët, ashkalitë dhe egjiptianët në Kosovë»,që zbatohet nga Terre des hommes Laussane në Kosovë (TdhK), në partneritet me organizatën “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER), dhe financohet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Swiss Agency for Development and Cooperation), ka hartuar këtë raport për të pasqyruar zbatimin e LMD-së, në veçanti përkitazi me mbrojtjen nga diskriminimi të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky raport, përveç raporteve të përgjithshme për zbatimin e LMD-së, është bazuar edhe në rastet e raportuara në Platformë.
Në këtë raport janë përfshirë të gjitha rastet e raportuara dhe të trajtuara nga Platforma, që nga fillimi i punës së saj, deri në rastet e paraqitura në dhjetor 2024.
Raporti bazohet në një metodologji gjithëpërfshirëse, që pasqyron të dhënat për diskriminimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes Platformës si dhe masat që janë ndërmarrë nga Republika e Kosovës për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit për komunitetet në fjalë.
Metodologjia e këtij raporti përfshin:
• Analizimin e të dhënave për diskriminimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian;
• Analizimin e të dhënave për rastet e paraqitura në Platformë, përfshirë edhe aspektin
statistikor dhe trajtimin e tyre nga institucionet;
• Analizimin e çështjeve të ngritura në lidhje me zbatimin e LMD-së ndërlidhur me rastet
e diskriminimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, etj. Në raport pasqyrohet puna e Platformës në një periudhë 30- mujore, duke filluar nga Qershori 2022 e deri në Dhjetor 2024. Raporti gjithashtu pasqyron analizën e rasteve të raportuara në Platformë, së bashku me statistikat konkrete, përfshirë edhe rastet që janë trajtuar suksesshëm nga ana e Platformës lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjipatian, si dhe aspektin e shkeljes së të drejtave të caktuara kushtetuese, me bazë diskriminimin.