Samiti i Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor përfundon me thirrjen për mobilizim të forcave të përbashkëta për ta bërë drejtësinë sociale një realitet transformues në jetën e komuniteteve

Samiti 2024 1

Me moton "Forcë në diversitet. Një shoqëri pa diskriminim racor", është mbajtur sot në Prishtinë Samiti i Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor, ku bëri bashkë ekspertë, liderë dhe aktivistë nga vendi dhe rajoni për të diskutuar dhe zhvilluar strategji, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për luftimin e diskriminimit racor ndaj komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Samiti u hap nga, Z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, Z. Habit Hajredini Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Jo diskriminim, Z. Jürg Sprecher, Ambasador i Zvicrës në Kosovë dhe Z. Pajtim Zeqiri, Shef i Zyrës së Terre des hommes në Kosovë. 

Kryeministri i Republikës së Kosovës,Z. Albin Kurti shprehi edhe njëherë gatishmërinë e Qeverisë për luftimin e diskriminimit racor. 

“Siç mund ta shihni, “Forca” jonë është edhe në të përqafuarit e “Diversitetit”, për një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse, që nuk e lë askënd mbrapa sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi përqafuar diversitetin. Aty ku jo vetëm me fjalë dhe me samite, por edhe me punë e me promovimin e pikërisht forcës së diversitetit, përkushtohemi çdo ditë që të jemi sa më pranë njëri-tjetrit, për secilën e për secilin, të gjithë bashkë. Jam i bindur që edhe samiti e diskutimet e sotme do të nxjerrin rekomandime të tjera të vlefshme, të cilat siç e kemi dëshmuar edhe më herët, do t’i konsiderojmë e trajtojmë me kujdes të veçantë e seriozitet të plotë”, tha Kurti. 

Në këtë mes, ai gjithashtu ka përmendur edhe platformën anti-diskriminim, raportodiskriminimin.org. Platformë kjo e Qeverisë së Republikës së Kosovës, e mbështetur nga Terre des hommes - Kosovë, ku qytetarët mund të raportojnë rastet e diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali e egjiptian. 

Z. Habit Hajredini, gjatë fjalimi të tij tha që sot jemi bashkë për të forcuar adresimin e parandalimit dhe luftimit të diskriminimit racor. 

“"Forcë në diversitet. Një shoqëri pa diskriminim" është motoja e samitit dhe që ka për qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira nga Ballkani Perëndimor, progresi dhe vështirësitë si dhe hapat që duhet ndërmarrë në parandalim dhe luftim të diskriminimit racor. Sot jemi së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe shoqëri civile nga Ballkani Perëndimor për të forcuar adresimin e parandalimit dhe luftimit të diskriminimit racor”, tha Hajredini. 

I pranishëm, Z. Jürg Sprecher, Ambasador i Zvicrës në Kosovë, shprehi përkushtimin e vendosur të Qeverisë së Zvicrës për luftën kundër diskriminimit racor, veçanërisht kundër komuniteteve të margjinalizuara si komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Ballkanin Perëndimor.

“Samiti i sotëm nën moton “Forcë në diversitet - Një shoqëri pa diskriminim racor” është një hap jetik në adresimin e sfidave sistematike me të cilat përballen komunitetet e margjinalizuara në këtë rajon. Duke bashkuar qeveritë, organizatat e shoqërisë civile dhe udhëheqësit e komunitetit, ne kemi mundësinë unike për të ndërtuar vullnet më të fortë politik, për të ndarë njohuritë dhe për të nxitur përgjegjësi më të madhe në luftën kundër diskriminimit racor”, tha Sprecher.

Kurse, Z. Pajtim Zeqiri, Shef i Zyrës së Terre des hommes në Kosovë, tha që Samiti tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme për vendin tonë dhe është një dëshmi e qartë e vullnetit dhe vendosmërisë së institucioneve të Kosovës dhe organizatave të shoqërisë civile për të parandaluar dhe eliminuar në çdo formë të diskriminimit ndaj komuniteteve të margjinalizuara etnike, si Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët.

“Në zemër të përpjekjeve tona peshon parimi fundamental – ai i Drejtësisë Sociale për Romët, Ashkalinjtë dhe Egjiptianët. Sepse ne besojmë se një shoqëri e mirë, është kur të gjithë, pavarësisht etnisë, gjinisë, moshës, statusit ekonomik – kanë qasje të njëjta në mundësi, në të drejta dhe në burime. Drejtësia sociale nuk është thjesht një koncept apo parim; ajo është një thirrje për veprim dhe ndryshim. Kur punojmë për drejtësi sociale, qëllimi ynë nuk është vetëm të ndryshojmë politika dhe sisteme, por të transformojmë jetët dhe të përmirësojmë mënyrën e jetesës së komuniteteve”, tha Zeqiri. 

Këtë vit, nën moton “Forcë në diversitet – Një shoqëri pa diskriminim racor”, Samiti u fokusua, përveç të tjerash, në vlerësimin e samiteve të kaluara dhe ndikimit të tyre në politikat dhe praktikat e luftimit të diskriminimit racor, duke përfshirë këtu edhe reflektimin mbi sfidat e mëparshme dhe mësimet e nxjerra ndër vitesh. 

Samiti ka për qëllim të bashkojë vendet e Ballkanit Perëndimor, qeveritë, shoqëritë civile, ekspertët e pavarur dhe individë të komuniteteve, për të trajtuar kolektivisht diskriminimin ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Fokusi kryesor i tij është identifikimi i hapave dhe veprimeve të nevojshme që duhet të ndërmarrin qeveritë, duke theksuar gjithashtu rolin e organizatave të shoqërisë civile.

Samiti i Ballkanit Perëndimor Kundër Diskriminimit Racor, u organizua nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit - Republika e Kosovës me mbështetjen e Terre des hommes në Kosovë, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve dhe Fondacionit HEKS, në kuadër të projektit - Drejtësia Sociale për Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).