Terre des hommes në Kosovë ka nisur një fushatë kombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin për fëmijët në situatë rruge. Kjo fushatë do të zhvillohet në kuadër të projektit “Mbrojtja e fëmijëve të cenueshëm në Kosovë” – i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe UNICEF në Kosovë, i zbatuar nga Terre des hommes.
Fëmijët në situatë rruge janë ndër kategoritë më të margjinalizuara dhe më të cenueshme në Kosovë. Ata përjetojnë shkelje të rënda të të drejtave të tyre si para dhe gjatë kohës së qëndrimit të tyre në rrugë. Këta fëmijë përballen me privime të shumta dhe janë të ekspozuar ndaj dhunës, abuzimit, neglizhimit dhe shfrytëzimit.
Për të parandaluar kërkimin e lëmoshës nga fëmijët dhe punën e fëmijëve, është thelbësore të rritet ndërgjegjësimi shoqëror për këto shkelje të të drejtave dhe të dekurajohet kërkesa për lëmoshë kërkim dhe punë.
Prandaj, fushata kombëtare synon të informojë, sensibilizojë dhe edukojë publikun e gjerë që të mos u japë para fëmijëve që kërkojnë lëmoshë në rrugë apo fëmijëve që pastrojnë xhamat e makinave në semafora. Kjo rrit lëmoshë kërkimin dhe punën e fëmijëve, duke ndikuar negativisht në mirëqenien, shëndetin dhe arsimimin e tyre. Për më tepër, fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin institucional në lidhje me sfidat me të cilat përballen fëmijët në situatë rruge për shkak të cenueshmërisë dhe ekspozimit të tyre ndaj dhunës, stigmës dhe përjashtimit social. Fushata do të zbatohet përmes një qasjeje të bazuar në të drejtat e fëmijëve.
Studimi i fundit i UNICEF-it mbi Fëmijët në Situatë Rruge, ka ofruar të dhëna dhe dëshmi që kanë shërbyer për të krijuar, dizajnuar dhe formësuar fushatën. Fushata do të zgjasë gjatë periudhës së verës, veçanërisht në muajt Gusht dhe Shtator, kur numri i fëmijëve në rrugë është më i lartë.
Fushata kombëtare do të shpërndahet në nivele të ndryshme. Së pari, një video sensibilizuese do të transmetohet në dy kanale kryesore televizive. Së dyti, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, billbordet dhe fletëpalosjet e fushatës do të vendosen në pikat kufitare, si dhe në komunat e Prishtinës, Prizrenit dhe Fushë Kosovës. Për më tepër, fushata do të përdorë kanalet e mediave dixhitale me fokus në përhapjen e ndërgjegjësimit përmes postimeve informuese dhe thirrjeve për veprim, duke inkurajuar raportimin dhe promovimin e parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve në situata rruge.
Për të parë videon e kampanjës kliko në këtë link: (2) Facebook